Te Milan vazhdon punë për merkaton e ardhshme. Në fokusin e Igli tares këtë herë ka rënë një nga futbollistët e Barcelonës.
Saktësisht bëhet fjalë për Gerard Martin, i cili luan në krahun e majtë të mbrojtjes. Katalanasit pritet t’iu nënshtrohen disa ndryshimeve në merkaton e verës me hyrje – dalje dhe në këto kushte Martin do të përfundonte si zëvendësues.
Diçka të tillë synojnë ta shfrytëzojnë kuqezinjtë, me taren që është hedhur në “aksion” për të siguruar shërbimet e talentit të blaugranave, i cili ka mundësi reale të largohet nga “Camp Nou”.
Klubi italian e sheh 23-vjeçarin si një alternativë të fortë për përforcimin e mbrojtjes së majtë. Ka nisur të thuret plani për këtë lëvizje. Gjithsesi mbetet të shihet në javët dhe muajt në vazhdim se si do të zhvillohet kjo pistë.
