
Pas anulimit të ndeshjes së La Ligës mes Villarreal dhe Barcelona, e planifikuar fillimisht të luhej në Miami, në Shtetet e Bashkuara, është vënë në dyshim edhe mundësia që sfida Milan–Como të zhvillohet në Perth, Australi, në shkurt të vitit 2026.
Ideja ka ngjallur kundërshti të forta mes futbollistëve, përfshirë milanistët Maignan dhe Rabiot, ndërsa trajneri Massimiliano Allegri është shprehur me kujdes, duke thënë: “Nëse luajmë në Itali, aq më mirë, përndryshe do të shkojmë në Australi. Mjafton të vendoset shpejt që të mund të organizohemi".
Sipas të përditshmes "The Guardian", pavarësisht aprovimit fillestar nga UEFA, është pak e mundur që ndeshja të zhvillohet në Australi, pasi San Siro do të jetë i zënë për shkak të Lojërave Dimërore. Vetë UEFA është shprehur e kënaqur që dueli Villarreal–Barcelona nuk do të mbahet në Florida, duke dhënë një sinjal të qartë kundër zhvendosjes së ndeshjeve zyrtare jashtë kontinentit.
Për miratimin përfundimtar të sfidës së Serie A në Australi nevojitet pëlqimi edhe nga AFC (Konfederata Aziatike e Futbollit), Federata Australiane dhe FIFA.
Megjithatë, sipas burimeve të "Guardian", AFC po përballet me presione të shumta për të mos e autorizuar ndeshjen, ndërsa presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, e ka quajtur një “rrezik të madh” zhvillimin e ndeshjeve të kampionatit në kontinente të tjera.