Igli Tare vazhdon te Milan punën intensivisht për të përforcuar skuadrën në këtë merkato. Kështu sipas mediave italiane së fundmi, shqiptari është shumë afër një tjetër lëvizjeje “bomb”.
Në radarin e ish-it të Kombëtares shqiptare ka përfunduar lideri i Bayern Munich. Dhe fjala është pikërisht për Leon Goretzka, i cili aktualisht ka kontratë me bavarezët deri në qershor të këtij viti.
Fakti që ka hyrë në muajt e fundit të kontratës me gjermanët dhe ende mes palëve nuk ka një marrëveshje për rinovimin, ka bërë që Tare të lëvizë “gurët” për një transferim të mundshëm.
30-vjeçari prej vitit 2018 është pjesë e kampionëve të Bundesligës dhe në këtë merkato mund të vendosë të ndryshojë ambient. Për shërbimet e tij ka interes edhe nga ekipe të tjera “big” siç janë Barcelona, Arsenali, Napoli dhe Tottenham. Të gjitha ekipet e interesuara mund të transferojnë futbollistin, i cili tashmë ka të drejtën të negociojë me çdo skuadër.
