
Trajneri i Inter, Simone Inzaghi ka folur pas humbjes së papritur 3-0 përballë Fiorentinës. Kjo sfidë ishte e prapambetur për shkak se disa muaj më parë u ndërpre në minutën e 15-të, pasi Edoardo Bove ra në tokë pa ndjenja.
Inzaghi u shpreh tepër i pakënaqur me këtë sfidë, duke e quajtur dështim. Ndërsa si për ironi të fatit, ndeshjen e radhës në kampionat e kanë këtë të hënë, përsëri me Fiorentinën, për të cilën, trajneri italian shprehet se do të përgatiten shumë më mirë.
“Ne dështuam plotësisht në lojë. Fiorentina meritoi të fitonte, ata treguan guxim dhe vendosmëri në fushë. Diçka të tillë ne nuk e bëmë. Duhet të jemi mendjeprehtë dhe të analizojmë këtë gjë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Përsëri kundër Fiorentinës të hënën? Sigurisht që ne do të përgatitemi shumë më mirë në ndeshjet e mbetur. Por ne jemi në dijeni të plotë që është një kampionat i vështirë dhe na presim akoma më shumë vështirësi të tjera”, është shprehur Simone Inzaghi.