Dëmtimet e Hakan Calhanoglu dhe Francesco Acerbi kanë “mbushur kupën” e presidentit të Interit. Beppe Marotta është ankuar për kalendarin e ngjeshur dhe ndeshjet e shumta që po luajnë lojtarët.
Kreu i zikaltërve bën thirrje që për këtë çështje të ulen të gjithë dhe të diskutojnë, pasi shumë lojtarë po pësojnë dëmtime të rënda. “Nerazzurrët” do të luajnë më shumë ndeshje se çdo klub tjetër përveç Juventusit këtë sezon, sepse, përveç Serisë A, Champions League, Coppa Italia dhe Supercoppa Italia, ata janë kualifikuar në Kupën e Botës për Klube 2025.
“Ne duhet të jetojmë me stresin e vazhdueshëm të kaq shumë ndeshjeve, është e vështirë për lojtarët. Janë rreth 100 lojtarë të lënduar që kanë detyrime ndaj ekipeve të tyre kombëtare dhe ne duhet të mbrojmë shëndetin e tyre. Situata nuk është e lehtë sepse ne duhet të ulemi rreth një tavoline dhe të kuptojmë se lista e ndeshjeve duhet të shkurtohet”, ka deklaruar Marotta për “DAZN”, pas fitores 1-0 me Romën.