Alisson Becker ka vendosur të luajë për Juventusin për tre sezonet e ardhshme. Vetë portieri brazilian ka arritur një marrëveshje me “Zonjën e Vjetër” për një kontratë 3-vjeçare dhe një pagë prej 5 milionë eurosh në vit.
Mirëpo, Liverpool po bëhet pengesë. Sipas “Tuttosport”, klubi anglez po kërkon 15-20 milionë euro për shërbimet e 33-vjeçarit, shifër kjo që konsiderohet shumë e lartë nga Juventusi. Megjithatë, këta të fundit po “fusin mik” pikërisht portierin.
Vetë Alisson po mundohet të bindë Liverpoolin për ta lënë të lirë për një shifër më të ulët se 15 milionë euro, duke marrrë parasysh që kontrata e tij përfundon në verën e vitit 2027. Tashmë, vendimi i takon “The Reds”, të cilët duan të fitojnë nga shitja e brazilianit.
Ndërkohë që për vetë futbollistin ky do të ishte një rikthim në Serie A italiane. Kjo për shkak se nga viti 2016 deri në vitin 2018, Alisson ka luajtur për Romën, para se të shitej 73 milionë euro në Premier League.
