Mohamed Salah duket gjithmonë e më afër largimit. Egjiptiani duket se po luan ndeshjet e fundit te Liverpool, pasi prej disa javësh tashmë ka shprehur pakënaqësinë e tij te stafi për minutat e pakta.
Gjë e cila siç duket ka “krisur” paksa marrëdhënien mes palëve dhe në këto kushte anglezët nuk rrinë “duarkryq” dhe kanë nisur punën për gjetjen e një zëvendësuesi. “The Reds” duan të jenë të përgatitur për një largim të mundshëm të egjiptianit.
Kështu kanë “peshkuar” në Ligue 1. Në radarin e tyre ka rënë Desire Doue, ku talenti i PSG-së pëlqehet shumë nga drejtuesit. 20-vjeçari bie në sy për shpejtësinë, teknikën dhe aftësinë për të luajtur në të dyja krahët.
Liverpooli e sheh si zëvendësuesin ideal të Salah dhe si një investim afatgjatë për të rinovuar gradualisht sulmin. Oferta prej 150 milionë eurosh që po përgatitet nga Liverpool, mund të ndryshojë mendjen e PSG-së, pavarësisht se parizienët e konsiderojnë pjesë të rëndësishme të së ardhmes.
