Manchester United po mendon të ndryshojë rrënjesisht në mërkaton e ardhshme verore, madje duke filluar që nga porta. Andre Onana, i cili u ble nga Interi për rreth 50 milionë euro, nuk i ka përmbushur pritshmëritë e klubit.
Këta të fundit janë vënë menjëherë në lëvizje për të gjetur zëvendësuesit e gardianit kamerunas, i cili me shumë mundësi do të largohet nga “Djajtë e Kuq”.
United ka krijuar idenë për portierin e ri, teksa dihet edhe i preferuari i drejtuesve të Klubit.
Bëhet fjalë për Andriy Lunin, portieri ukrainas që aktualisht mban veshur fanellën e Real Madrid. 25-vjeçari ka qenë një nga pikat kyçe të “Los Blancos” në këtë sezon, ku ka luajtur plot 28 ndeshje si titullar, 12 nga të cilat i ka mbyllur pa pësuar gol.
Por, Lunin ka përfituar këtu edhe nga dëmtimi i Thibaut Courtois, me belgun që i ka lënë vendin ukrainasit përgjatë këtij sezoni. Por me rikthimin e Courtois, Lunin do ta ketë të vështirë që të jetë përsëri në 11-shen startuese, duke e detyruar që të ndryshojë ekip.
Manchester United në krahun tjetër është i gatshëm të ofrojë deri në 40 milionë euro për të siguruar shërbimet e 25-vjeçarin ukrainas, por mbetet të shihet nëse Real Madrid do ta lërë lojtarin të lirë.