
Federata Angleze e Futbollit e ka akuzuar mesfushorin e West Ham, Lucas Paqueta për katër shkelje të supozuara si vënie bastes. Braziliani është akuzuar për marrje të qëllimshme të kartonëve të verdhë gjatë katër ndeshjeve të Premier League në 2022 dhe 2023.
“Lucas Paqueta mendohet se ka kërkuar të ndikojë drejpërdrejt në këto ndeshje duke kërkuar me qëllim të marrë një karton nga abitri për sjellje të pahijshme, gjë e cila është bërë për tregun e basteve në mënyrë që një ose më shumë persona të përfitojnë nga bastet”, tha Federata e Futbollit në një deklaratë.
Paqueta i cili ka afat deri më 3 qershor për t’iu përgjigjur akuzave ka mohuar çdo gjë që ka të bëjë me këtë çështje nëpërmjet një reagimi në platformën “X” dhe Instagram.
“Jam jashtëzakonisht i befasuar dhe i mërzitur që FA ka vendosr të më akuzojë. Për 9 muaj kam bashkëpunuar në çdo hap të hetimit të tyre dhe kam dhënë të gjithë informacionin e mundshëm. Unë i mohoj të gjitha akuzat dhe do të luftoj për të pastruar emrin tim. Për shkak se procesi i hetimi po vazhdon, nuk do të jap asnjë koment të mëtejshëm”, është shprehur Paqueta.
Më tej, është klubi i West Ham që ka dalë me një deklaratë zyrtare duke u shprehur se do t’i qëndrojnë pranë futbollistit të tyre.
“Klubi do të vazhdojë të qëndrojë pranë dhe të mbështesë lojtarin gjatë gjithë procesit hetimor dhe nuk do të bëjë komente të mëtejshme derisa çështja të përfundojë”, thuhet në deklaratën e klubit anglez.