Manchester United ka disa sezone që nuk po përjeton momente të mira, por një nga lojtarët që ka qenë gjithmonë në nivel të lartë, është Bruno Fernandes. Mesfushori portugez foli së fundmi në një intervistë, duke përmendur edhe të ardhmen e tij.
29-vjeçari thotë se momentalisht nuk po mendon për të ardhmen, pasi në fokusin e tij është vetëm FA Cup dhe Euro 2024. Por, ndër të tjera, portugezi lë të kuptohet se gjithçka është e hapur në verë, për një transferim jashtë Premier League.
“Për momentin nuk po mendoj për të ardhmen. Natyrisht nuk varet vetëm nga unë. Një lojtar mund të dëshirojë që të qëndrojë në ekipin e tij, por në të njëjtën kohë, dikush duhet të dëshirojë që ai të qëndrojë. Si fillim kemi FA Cup, më pas do të mendoj për Euro 2024.
Nëse dëshironi të jem i sinqertë, nëse më duhet të mendoj largimin nga Premier League, do ta bëj vetëm pas Kampionatit Europian. Tani asgjë nuk mund ta largojë vëmendjen time nga FA Cup dhe Euro 2024, asgjë nuk është më e rëndësishme momentalisht”, është shprehur Bruno Fernandes.
Kujtojmë që 29-vjeçari është një nga lojtarët më në formë te Manchester United. Në 45 ndeshje të këtij sezoni, mesfushori ka shënuar plot 15 gola dhe ka asistuar në 11 të tjerë.