Çdo ditë e më shumë po konfirmohen “zërat” e një rikthimi të Jose Mourinhos tek Real Madrid. Edhe pse diskutimet mes tyre janë në fazën fillestare, gjërat janë duke ecur me ritme të shpejta dhe vetë trajneri portugez ka hedhur hapin e tij të parë duke treguar gatishmëri maksimale për të marrë përsipër një skuadër e cila nuk po funksion ashtu siç duhet pas “skandaleve” që kanë plasur ditëve të fundit.
Siç njofton media spanjolle “AS”, thuhet se mes palëve po hidhen “themelet” e një projekti të ri që do të nisë pikërisht këtë verë, por mungon vetëm “PO”-ja përfundimtare e presidentit Florentino Perez për të bërë një zgjedhje.
Në krahun tjetër, edhe Benfica nuk po qëndron duarkryq. Skuadra portugeze po mendon që tani për pasuesin e Mourinhos, pasi nuk kërkon të dalë e papërgatitur për skenaret që po qarkullojnë, ndaj dhe ka “përpiluar” një listë me emrat që mund t’i shkojnë përshtat profilit të kandidatit për të drejtuar nënkampionët e Portugalisë.
Ruben Amorim, ish-trajneri i Manchester United dhe dikur rivali i Benficës, pasi më herët ka trajnuar Sportingun e Lisbonës, ka shanse të larta për t’u kthyer në vendin ku bëri “historinë”. Krahas tij, drejtuesit e Benficës po mendojnë edhe për Marco Silvan, trajnerin momental të Fulham i cili do të largohet nga drejtimi i kësaj skuadre në fund të këtij sezoni.
