Mesfushori serb, Nemanja Matic ka bërë së fundmi një deklaratë të bujshme. Fjalët e tij bënë “bujë” për shkak se flet për Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin, dy futbollistë me origjinë shqiptare. Matic theksoi se nëse Xhaka dhe Shaqiri e duan kaq shumë Shqipërinë dhe atdheun, pse duhet të zgjidhnin të përfaqësonin kombëtaren e Zvicrës, duke krijuar reagim të gjerë në rrjet.
“Unë i respektoj ata si futbollistë, kam luajtur kundër tyre disa herë në Premier League. Por me ato gjëra të vogla, ata fitojnë pikë politike. Mendoj se ata janë rritur në Zvicër. Kjo nuk tregon respekt për vendin për të cilin luan. Nëse të pëlqen kaq shumë Shqipëria, atëherë pse nuk luan për Shqipërinë por ke zgjedhur të luash për Zvicrën? Kjo është pyetja ime.
Mund të duash më shumë vende, kjo nuk është problem. Unë e dua Serbinë, është vendi im. Gjithashtu e dua Anglinë, kam kaluar shumë kohë atje. Por kurrë nuk do të thoja se e dua Anglinë më shumë se Serbinë. Duhet të jesh i sinqertë. Kam luajtur kundër Xhakës shumë herë dhe kurrë nuk kemi pasur problem. Gjithmonë shtrëngonim duart, ai është një lojtar i mirë, si Shaqiri. Por kurrë nuk do të bëja diçka për të provokuar dikë. I respektoj të gjithë”, tha Nemanja Matic.
