
Barcelona vazhdon të shkojë gjithmonë e më afër titullit kampion në La Liga. Katalanasit fituan mbrëmjen e djeshme ndaj Mallorcas me shifrat 1-0.
Një fitore e rëndësishme për blaugranat, të cilët vazhdojnë të udhëheqin me diferencë nga Real Madrid. Pas këtij triumfi ka folur Hansi Flick, i cili ka theksuar se skuadra po luan mirë dhe po merr rezultate.
Madrilenët do të jenë pikërisht kundërshtari i tyre i radhës, me të cilët do të përballen të shtunën në finalen e Kupës së Mbretit. Për këtë përballje trajneri i Barçës ka theksuar se do të jetë e vështirë, por synojnë tripletën dhe për të arritur këtë duhet të mposhtin fillimisht Realin.
“A është e lehtë kur Olmo dhe Pedri luajnë bashkë? Nuk bëhet fjalë vetëm për ata të dy. Jemi të lumtur që i kemi, por e rëndësishme është që lojtarët që marrin pjesë, të komunikojnë shpejt me të tjerët dhe kjo është mirë të shihet.
Zemërimi i Ferran Torres? Situata e Ferranit është ndryshe nga lojtarët e tjerë, ai luan shumë dhe dëshiron të shënojë gola, dhe nëse zëvendësohet, ai zemërohet.
A është mirë të kesh një ditë më shumë pushim se Real Madridi? Mund të jetë mirë, dhe mund të mos jetë. Ne kemi luajtur gjithashtu shumë ndeshje në situatën e kundërt. Real Madrid ka një ekip të madh dhe një nga trajnerët më të mirë në botë. Ancelotti është një njeri fisnik dhe unë e respektoj shumë. Ne do të luajmë të shtunën kundër skuadrës së Madridit të udhëhequr nga Carlo, dhe jam i lumtur ta shoh një trajner të madh.
Barcelona dhe Real Madrid janë ekipe të mëdha dhe është e natyrshme që titujt të vendosen mes skuadrave më të mira. Ne kemi ndeshjen tonë kundër tyre, dhe duam të fitojmë kupën dhe ligën, dhe ne duhet t’i mposhtim ata. Nuk do të jetë e lehtë, por duhet të përqendrohemi tek ata”, ka përfunduar gjermani.