
Barcelona nuk arriti të fitonte ndaj Atletico Madrid, me sfidën që përfundi 4-4 mes tyre. Duel i vlefshëm për gjysmëfinalen e parë të Copa del Rey.
Katalanasit arritën të kthenin rezultatin nga 0-2 në 4-2, por nuk ia dolën që të ruajnë avantazhin deri në fund dhe u barazuan nga Atletico. Pas këtij barazimi ka folur Pedri. Mesfushori shprehet mjaft i keqardhur që nuk fituan, ndërsa nënvizon se ekipi bëri gabime.
Ndër të tjera premtoi se në sfidën e radhës pavarësisht vështirësisë do të luajnë më qetë, ndërs do të jetë Barça që do të kalojë në finalen e Copa del Rey.
“Kur je duke kryesuar 4-2 dhe barazohesh në fund, natyrisht ky barazim ngjan si një rezultat i keq. Kemi bërë disa gabime në fund që na kushtuan, por nuk mund të ndryshojmë dot asgjë. Ne duhet të kujdesemi që këto gjëra të mos ndodhin më. Këto janë gjëra që duhet t’i përmirësojmë.
Unë mendoj se bëmë një ndeshje të shkëlqyer në të dyja pjesët kundër Atletikos. Këtë e nisëm duke pësuar dy gola të shpejtë, por unë jam krenar për mënyrën se si reagoi skuadra. Kur të dalim përpara, duhet të jemi më të qetë dhe të luajmë më thjeshtë. Ne kemi besim të plotë në ekip. Do të jetë një ndeshje e vështirë atje, por ne do të shkojmë në finale, kjo është e sigurt”, ka theksuar mesfushori spanjoll.