Kampionati spanjoll vazhdon edhe këtë të dielë në ndeshjet e mbetura për javën e 29-të. Plot 4 sfida, ku spikasin duelet e gjigantëve si Barcelona dhe Real Madrid që luajnë në të njëjtën ditë përballë Rayo Vallecanos dhe respektivisht Atletico Madrid.
Katalunasit luajnë të parët në orën 14:00 përballë një kundërshtari që i ka vënë shpesh në vështirësi, ku në fazën e parë këta të fundit i ndalën në shtëpi në barazimin 1-1. Për skuadrën e Flick, kjo ndeshje vlen për dy arse; pikët për të vazhduar kryesimin në kampionat dhe barazimin e një rekordi absolut.
Bëhet fjalë për ndeshjet që blaugranat i kanë luajtur në shtëpi këtë sezon, ku deri më tani rekordi është vetëm fitore në 14 ndeshje, ndaj dhe një sukses në mesditë ndaj Rayos së mbrojtësit të Kombëtares, Ivan Balliu që pozicionohet i 14-ti në La Liga, do bënte që ata të koleksionin të 15-ti, duke barazuar kështu rekordet e mëparshme të arritura në vitet e hershme 1952 e deri në vitin 1962, ku Barcelona mori asokohe vetëm 14 fitore rresht në shtëpi.
Në mbrëmje, fokusin pritet ta marrë derbi i Madridit mes Realit dhe Atleticos. Një përplasje "kokë më kokë" që mund të ndikojë shumë në fatet e skuadrës së Alvaro Arbeloas për garën në kampionat. Një ndalesë do të zgjaste diferencën me kreun nga 4 pikë në 7 pikë, ndërsa një fitore e mundshme do të mbante akoma distancën në vetëm 4 pikë.
Në anën tjetër, të besuarit e Cholo Simeones duan medoemos tri pikët për shkak se Villareal i parakaloi në tabelë duke u renditur momentalisht e katërta, 1 pikë më pak se "Nëndetësja e verdhë".
Sfida në Madrid do të luhet në orën 21:00 në stadiumin "Santiago Bernabeu". Ndeshjet e tjera që do të mbyllin javën janë dhe Celta Vigo-Alaves në orën 16:15 dhe Athletic Bilbao-Betis në 18:30.
