Federico Valverde u ndëshkua me kartonin e kuq në derbin mes Atleticos dhe Realit, fituar nga këta të fundit me rezultatin e ngushtë 3-2.
Mesfushori u detyrua të largohej nga fusha e lojës pasi kryesori i ndeshjes nuk hezitoi ta ndëshkonte për një faull të rrezikshëm ndaj Alex Baenës, duke lënë të tijët me 1 lojtar më pak në 13 minutat e mbetura të takimit.
“Los Blancos” vendosi të apelojë menjëherë këtë vendim, duke e cilësuar si absurd për mënyrën se si ndodhi aksioni dhe mund të tolerohej edhe me një të verdhë.
Megjithatë, tek Federata nuk i japin shpresa skuadrës madrilene për një kthim të vendimit, duke lënë në fuqi kartonin e kuq dhe pezullimin e lojtarit për ndeshjet e radhës.
Falë suksesit në derbin e qytetit, Reali ngushtoi sërish distancën me Barcelonën kryesuese në 4 pikë, duke mbajtur të gjallë garën në kampionat për fazën e mbetur të sezonit. Sfidën e radhës, madrilenët do ta luajnë në transfertë përballë Mallorcas së Vedat Muriqit dhe Marash Kumbullës.
