
UEFA Conference League ka arritur në fazën më kulminante, teksa të enjten do të luhen ndeshjet e para të play-off-it, ku skuadrat do të luftojnë për t’u kualifikuar në fazën e grupeve. Në dy prej sfidave më të rëndësishme të kësaj jave do të vendosin drejtësi arbitrat shqiptarë.
Në takimin Başakşehir – U. Craiova, që do të luhet në stadiumin “Başakşehir Fatih Terim” në Stamboll, arbitër kryesor do të jetë Juxhin Xhaja. Asistentë të tij janë caktuar Arbër Zalla dhe Rejdi Avdo, ndërsa arbitër i katërt do të jetë Olsid Ferataj. Në dhomën e VAR-it do të jenë Kreshnik Bajramaj (VAR) dhe Olsion Yzeiraj (AVAR). Kjo sfidë do të zhvillohet të enjten, më 21 gusht, në orën 19:45.
Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të kësaj faze, Sparta Praha – Riga, arbitër kryesor është përzgjedhur Enea Jorgji. Dy asistentët e tij do të jenë Denis Rexha dhe Ridiger Çokaj, ndërsa arbitër i katërt do të jetë Florian Lata. Sistemi VAR do të drejtohet nga italiani Aleandro Di Paolo, i ndihmuar nga Albert Doda në rolin e AVAR-it. Ndeshja do të luhet të enjten, më 21 gusht, në stadiumin “Letná” në Pragë, në orën 20:00.
Ky është një tjetër vlerësim për arbitrimin shqiptar, që vijon të jetë i pranishëm në ndeshje të rëndësishme të futbollit europian.