
Pasi u mposht 2-0 në Gjeorgji, Partizani nuk ia doli që të bënte mrekullinë në ndeshjen e kthimit. “Demat” barazuan pa gola përballë Iberias në sfidën e zhvilluar në “Elbasan Arena”, rezultat ky që eliminon të kuqtë nga Conference League. Në përfundim të kësaj sfide, për mikrofonat e MCN TV ka folur ish-trajneri, Sulejman Starova.
“Partizani ishte shumë larg pritshmërive tona. E dinim rezultatin negative në transfertë, por ishte lojë e dobët. Kishin probleme shumë në faza të ndryshme me lojë të ngadaltë. I dhanë shkëndijat me rastin e Zekës, por loja e Partizanit vjen nga mungesat e shumta që ka patur gjithë kampionatit. Më pas edhe mungesa e Hadrojt, sigurisht dhe Rrapaj mungesë kryesore.
Nuk më pëlqeu ndeshja për të thënë të drejtën. Gjykimi i dobët, kishte rastin për të dhënë penallti por nuk e dha. Kundërshtari i dobët, duke vonuar. Duke parë edhe elimnimin e Egnatias, mund të themi se është një moment jo i mirë për futbollin tonë në Europë”, ishin fjalët e Sulejman Starovës.