Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

CHAMPIONS LEAGUE

“S’patëm fat”, Chivu pas humbjes me Arsenal: Nuk e di ç’do të ndodhë, por jemi gati edhe për “play-off”!

Shkruar nga NEWSPORT
“S’patëm fat”, Chivu pas humbjes me Arsenal: Nuk e di
Cristian Chivu

Inter u mposht mbrëmjen e djeshme në shtëpi nga Arsenal, në ndeshjen e vlefshme për raundin e 7-të të ligës së fazës në UEFA Champions League. Sfida e zhvilluar në Milano, përfundoi 1-3 në favor të miqve. Pas kësaj disfate ka folur edhe trajneri i zikaltërve, Cristian Chivu, duke treguar gjërat që nuk shkonin, por edhe objektivat e tyre.  

Çfarë mungoi, nëse mungoi diçka?

Ishte kundërshtari më i fortë për nga intensiteti, teknika në shpejtësi, pozicionimi në fushë dhe idetë në sulm mes linjave. Ne u përpoqëm të qëndronim në lojë dhe bëmë një paraqitje të mirë në pjesën e parë; në rezultatin 1-1 mund të kishim shënuar. Ishim të pafat te goli nga goditja standarde, topi godet traversën dhe përfundon në kokën e një lojtari. Në pjesën e dytë ata e rritën nivelin e përqendrimit dhe ne patëm vështirësi të krijonim raste, për më tepër kishin edhe zëvendësime që të vënë në vështirësi.

Cili është objektivi tani?

Duhet të presim nesër për të parë renditjen dhe për të kuptuar nëse mjafton një fitore; jemi gati edhe për të luajtur në "play-off". Ka keqardhje, sepse kundër Liverpool dhe Atletico Madrid, me më shumë vëmendje dhe pjekuri, mund të kishim marrë diçka. Mendoj për rritjen tonë në aspektin e pjekurisë: po t’i luanim sot këto ndeshje kundër Liverpool dhe Atleticos, do të kishim marrë më shumë. Vazhdojmë përpara me bindje, duke pranuar të luajmë hapur kundër një skuadre që mund të të vërë në vështirësi me lojtarë si Saka dhe Trossard. Marr me vete guximin dhe rritjen e treguar në periudhën e fundit.

A mund të ndryshoje diçka në krahun e djathtë?

Vendosëm Diouf dhe në fund, nuk e di nëse mund të bëja ndryshe. Mendova edhe për kalimin në 4-3-3, por na mungonte pak forcë në sulm. E luajtëm me tre sulmues dhe dy lojtarë nga pas. Na munguan pak veprime individuale dhe krosime nga e djathta, por nuk kam asgjë për t’u thënë Luis Henriques dhe gjithë djemve, sepse për angazhim dhe motivim ishin të përqendruar që nga fillimi.

Ju habiti fakti që sulmuam që nga fillimi?

Kur të vijnë përballë dhe të rrethojnë, ata kanë cilësi dhe intensitet. Më kanë impresionuar krahasuar me skuadra të tjera: veprimi dhe kontrolli i topit janë gjithmonë të saktë. Saka krijon shumë probleme brenda zonës. Ne u përpoqëm të qëndronim në lojë, duke kërkuar kundërsulme dhe duke krijuar raste në zonën kundërshtare kur ishte e mundur. Premier League është një kampionat që për nga intensiteti është në majë; ne në Itali ende nuk jemi mësuar plotësisht dhe unë përpiqem të transmetoj diçka në këtë drejtim, edhe pse nuk është e thjeshtë. Vazhdojmë rritjen tonë, duke ruajtur bindjen se gjërat që po bëjmë janë të drejta.

Poll

Lexo gjithashtu