Sfida mes Bayern Munich dhe Sporting, e cila u luajt në “Allianz Arena” dhe u mbyll me rezulatin 3-1 në favor të bavarezëve, nuk përfundoi në më të mirën e saj. Kjo pasi gjatë ndeshjes sjellja e tifozëve të Bayern Munich nuk ishte aspak etike madje u bë dhe shumë shqetësuese.
Dhe pikërisht për këtë problematikë, Komiteti Disiplinor i UEFA-s ka gjobitur Bayern Munich-un me 116,000 euro dhe e ka mbyllur pjesërisht stadiumin për ndeshjen e tyre të radhës në “shtëpi” në Ligën e Kampionëve.
Siç raporton dhe “Reuters”, gjoba erdhi pasi tifozët e klubit bavarez bllokuan kalimet publike në stadium si dhe ndezën flakadanë gjatë ndeshjes. Përpos ndeshjes me Sporting, në vijëmësinë e sjelljeve jo të përshtatshme, Bayern të Munich-it i shtohen në listë edhe problemet e krijuar gjatë ndeshjes me Arsenalin, ku nga ana e tifozëve u hodhën objekte dhe mesazhe ofenduese kundër ekipit rival.
Ndër të tjera UEFA i ka dhënë klubit bavarez një dënim me kusht prej dy vitesh. Nëse tifozët bëjnë trazira përsëri, Bayern do të luajë para një tribune jugore të zbrazët për 2 vjet.
