
Bayer Leverkusen ka emëruar ish-trajnerin e Manchester United, Erik ten Hag, si zëvendësues të Xabi Alonsos si trajner kryesor. Holandezi 55-vjeçar ka nënshkruar një kontratë që vlen deri në qershor të vitit 2027 me klubin e Bundesligës.
Ten Hag trashëgon një ekip që përfundoi i dyti pas Bayern Munich në Bundesliga dhe arriti në gjysmëfinalet e Kupës së Gjermanisë pasi fitoi të dy garat nën drejtimin e Alonsos një vit më parë. Alonso u largua për të marrë drejtimin e Real Madridit, duke zëvendësuar Carlo Ancelottin, i cili ka marrë “timonin” e ekipit kombëtar të Brazilit.
Kjo është puna e parë e Ten Hag që kur u shkarkua nga posti i trajnerit të United në tetor 2024. Ai fitoi dy kupa vendase në dy vjet e gjysmë në krye të Old Trafford, por u shkarkua pas fillimit më të keq të klubit në një sezon, me katër humbje në nëntë ndeshje të ligës.