
Pasi fitoi 9-2 përballë Dinamo Zagreb mesjavën e shkuar në Champions League, Bayern Munich mposhti në fundjavë 5-0 Ëerder Bremen në Bundesliga. Harry Kane ishte protagonist absolut me 1 gol dhe 2 asist. Ndërsa në 3 ndeshjet e fundit, anglezi ka shënuar 8 gola dhe ka asistuar në 3 të tjerë.
Së fundmi është vetë futbollisti që ka folur para mediave, duke u shprehur mjaft i lumtur. Ndër të tjera, Kane thotë se uria për gola nga ekipi i Bayernit vetëm sa do të vijë dhe të shtohet.
“Ishte një javë e mrekullueshme. Mënyra se si u futëm në fushë është lloji i stilit që duam të tregojmë edhe në ndeshjet e ardhshme. Mund të thuash që ne vazhduam të shtynim, edhe pas golit të dytë dhe të tretë. Ne jemi Bajern Munich. Sigurisht që do të jetë një lojë ndryshe kundër Leverkusenit.
Ata treguan sezonin e kaluar se sa të fortë janë. Pres një lojë të vështirë. Duhet të tregojmë të njëjtin mentalitet dhe të njëjtën uri për sukses që treguam në Werder dhe në ndeshjet tona të mëparshme”, ishin fjalët e sulmuesit anglez të Bayern Munich, Harry Kane.