
Bayern Munich do të luajë këtë të mërkurë ndeshjen përballë Wehen Wiesbaden, e vlefshme për 1/32-at e Kupës së Gjermanisë. Sfida që do të zhvillohet “BRITA-Arena”, nis në orën 20:45.
Në prag të këtij dueli, në konferencën për shtyp para mediave ka folur dhe trajneri i bavarezëve, Vincent Kompany. Ky i fundit ka bërë një deklaratë të papritur, duke “injoruar” krejtësisht kundërshtarin, madje i është dashur të përdorë "Google", për t'i njohur disi.
Kur e pyetën se çfarë kishte mësuar rreth tyre, Kompany u përgjigj: “Në fillim më duhej të kërkoja vendndodhjen e tyre gjeografike. E di që është diku afër Frankfurtit”.
Megjithatë, Kompany është i vetëdijshëm për pikat e forta të Wiesbaden, teksa tha: “Ata janë shumë të mirë në kundërsulme. E bëjnë në një nivel të lartë. Një ose dy pasime, pastaj vrapime të thella dhe finalizime. Është një ekip i rrezikshëm. Por sigurisht, ne jemi favoritët".