
Bayern Munich do të luajë përballë Leverkusen këtë të shtunë, sfidë e vlefshme për javën e 5-të të Bundesligës. Ndeshja që do të zhvillohet në stadiumin “Allianz Arena”, do të startojë në orën 18:30.
Në prag të kësaj sfide ka folur mesfushori bavarez, Joshua Kimmich, i cili thotë se ekipi po kalon një formë mjaft të mirë me Vincent Kompany. Ndër të tjera, gjermani shprehet i sigurt se do ta mposhtin Leverkusen pa frikë.
“Jemi tri pikë përpara. Ne kemi ndeshjen në shtëpi dhe kemi pasur disa takime vërtet të mira. Mund të ndihet edhe ideja dhe stili i lojës nën Vincent Kompany. Ajo që na jep vetëbesim është mënyra se si kemi luajtur futboll.
Pavarësisht pesë apo gjashtë golave, në fund ka të bëjë me fitoren, por kur triumfon në këtë mënyrë, padyshim që të jep besim në forcat e tua dhe këtë do ta tregojmë të shtunën, duke mposhtur pa frikë Leverkusen”, tha Joshua Kimmich.