Harry Kane pati merita absolute në fitoren e Bayern Munich përballë Stuttgart, që solli dhe trofeun e dytë sezonal siç ishte Kupa e Gjermanisë. Sulmuesi anglez realizoi një tripletë fantastike duke kompletuar në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin me bavarezët.
Pas përfundimit të ndeshjes, presidenti i nderit i klubit, Uli Hoeness u shpreh me vlerësime të mëdha drejtuar lojtarit, teksa “i vuri kapakun” dhe aludimeve që e lidhin anglezin me një transferim te Barcelona.
“Harry Kane është transferimi më i mirë që kemi bërë ndonjëherë. Barcelona ka shfaqur interes? Ne jemi klub që blejmë e jo që shesim. Ai do të qëndrojë, përndryshe ata s’kanë as para që ta paguajnë”, ishin fjalët e Hoeness, të cilat mund të interpretohen edhe si “thumb” drejtuar katalanasve.
Gjatë këtij sezoni në të gjitha kompeticionet ku ai ka luajtur, Kane ka shënuar 61 gola në 52 ndeshje, një shifër e frikshme kjo që tregon ndikimin e tij absolut tek gjermanët dhe që hedh pa më të voglin dyshim një kandidaturë serioze për çmimin prestigjioz indivual të “Topit të Artë”.
