Paraqitjet e Fisnik Asllanit në kampionatin gjerman vazhdojnë të impresionojnë, pasi sulmuesi shqiptar ka arritur në kuotën e 9 golave dhe 4 asisteve në Bundesliga.
Kjo formë e mirë e lojtarit të Kombëtares kosovare nuk ka mbetur pa u vënë re nga gjigantët e Europës të cilët nuk kanë humbur kohë dhe e kanë etiketuar si një përforcim të mundshëm në merkaton e ardhshme të verës.
Fokusi momental për Asllanin, megjithatë, mbetet ndeshja delikate përballë Sllovakisë, më 26 mars, teksa ka "shuar" dhe spekulimet e fundit që e lidhin atë me një kalim te Barcelona ose Bayern Munich.
"Jam i përqëndruar tek futbolli dhe ndeshjet e radhës. Në fund, nuk më ndihmon nëse i jap vëmendje gjithçkaje që ndodh rreth meje dhe më shpërqëndron. Dua të luaj në fushë. Nuk më shqetësojnë më as spekulimet apo diçka tjetër. Dua vetëm të ndjej kënaqësinë e futbollit, të luaj dhe performoj", ka deklaruar Asllani.
Ky është sezoni i dytë që dëshmon shkëlqimin e 23-vjeçarit me skuadrën e Hoffenheim, duke u bërë pikë referimi për gjermanët, sikurse për trajnerin Franko Foda tek Kombëtarja e Kosovës.
