Diego Armando Maradona, një nga figurat më të mëdha të futbollit botëror, u nda nga jeta më 25 nëntor 2020, në moshën 61-vjeçare, pas një ataku kardiak.
Sot në qytetin San Isidro të Argjentinës ka nisur një proces gjyqësor ndaj mjekëve që akuzohen për neglizhencë në trajtimin e tij, duke u përballur me akuzën e “vrasjes nga pakujdesia”.
Nëse shpallen fajtorë, ata rrezikojnë deri në 25 vite burg. Të gjithë të akuzuarit mohojnë përgjegjësinë, ndërsa pritet që gjyqi të zgjasë deri në korrik, me rreth njëqind dëshmitarë, përfshirë edhe vajzat e Maradonës, që do të dëshmojnë mbi ditët e fundit të jetës së tij.
Maradona ndërroi jetë në banesën e tij në Tigre, provinca e Buenos Aires, ku po rikuperohej pas një operacioni për mpiksje gjaku në tru. Autopsia zbuloi se arresti kardiak ishte pasojë e një embolizmi pulmonar, i cili shkaktoi grumbullim lëngjesh në mushkëri.
Në bankën e të akuzuarve do të jenë shtatë persona, mes tyre mjeku personal i Maradonës, Leopoldo Luke, si dhe psikiatrja Agustina Kosačova. Ndërkohë, infermierja Diana Giseli Madrid është përjashtuar nga ky proces dhe do të gjykohet veçmas.
