
Boksieri shqiptar Haxhi Robin Krasniqi ka deklaruar se është gati për ndeshjen e nesërme, ku do të luftojë për titujt WBA dhe WBO Intercontinental në kategorinë e mesme. Ai do të përballet me Jurgen Dobersteinin dhe në konferencën e fundit për media, ai është shprehur shumë optimist. Këta tituj do t'i japin mundësinë boksierit që të luftojë më pas për titullin e botës.
“Jurgen Doberstein është puna ime të premten dhe e di si ta mposht. Kam ushtruar në Amerikë dhe Kanada edhe para sparingut, në bjeshkët e Bavarisë me trajnerin Sepp Maurer. Kam peshën e duhur dhe një “Doberman” (nofka e Dobersteinit) nuk mund të më ndalë në rrugën time drejt titullit të botës”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi tani renditet i pesti në kategorinë e mesme ka 45 fitore dhe katër humbje, ndërsa “Dobermani” ka 20 fitore 2 humbje dhe 1 barazim.