
Silvio Berluskoni dhe Adriano Galliani i kanë idetë e qarta për rikthimin në futbollin italian. Pak ditë më parë ishin mediat vendase ato që zbuluan projektin e ri të dyshes në fjalë për blerjen e skuadrës së Monzës në Itali.
Së fundmi, "Corriere dello Sport" nëpërmjet një pronocimi marrë ga presidenti aktual i këtij klubi, Nicola Colombo ka zbuluar më shumë detaje rreth kësaj marrëveshjeje, e cila si duket është drejt mbylljes.
Colombo në prononcimin e tij ka konfirmuar se marrëveshja është në fazën e fundit dhe se ai do qëndrojë në krye të klubit deri në datën 30 qershor, më pas do ndodhi rrotacioni.
"Ishte një rrufe në qiell të hapur deri pak javë më parë, ndërsa tani as që po e besoj që kjo gjë po ndodh. Mendoj se marrëveshja do të mbyllet shumë shpejt, bëhet fjalë për çështje javësh. Ne jemi të lumtur për arritjen e kësaj marrëveshjeje, kemi diskutuar dhe ndarë vlerat dhe elementet e një partneriteti të mundshëm. Është diskutuar që unë do të vazhdoj të jem president deri në datën 30 qershor. Është një projekt i rëndësishëm sportiv për Monzën, një marrëveshje që bëhet me qëllim që ekipi të ngrihet lart", kanë qenë fjalët e presidentit aktual të klubit italian. /NEWSPORT.AL/