Ish-trajneri i përfaqësueses së Kosovës Albert Bunjaki dha sinjale se mund të marrë sërish drejtimin e një skuadre. Në një prononcim për gazetën “Zëri”, 47-vjeçari theksoi se po punon për të qenë pjesë e një projekti ambicioz.
“Momentalisht jam në bisedime për një projekt të ri. Besoj se do të ketë risi. Për mua është shumë me rëndësi që të jetë një projekt në të cilin unë besoj dhe ku ka mundësi që të zhvillohem.
Ndoshta mjafton që ta them deklaratën e drejtorit sportiv të Rizesporit që nga tetë trajnerë kanë mbetur vetëm dy, unë dhe Okan Buruk. Zgjedhja e fundit për klubin ishte Burak”, tha ndër të tjera Bunjaki.
Bunjaki ka drejtuar më së shumti ekipe të futbollit suedez si Kalmari, Orebro dhe Degerforsin. Ai drejtoi për plot 8 vite përfaqësuesen e Kosovës dhe debutoi me “Dardanët” në kualifikueset e kampionatit europian të 2016. Bilanci i Kosovës gjatë kohës që ai e drejtoi është 3 fitore, 3 barazime dhe 12 humbje. Vendin e tij e mori zvicerani Bernard Challandes.