Tirana – Partizani u mbyll me një barazim 1-1 që i shkon për shtat vetëm bardhebluve që ruajnë kështu kryesimin +2 nga të kuqtë dhe afrohen më shumë me titullin kampion. Partizani kaloi i pari në avantazh me Da Silvan në minutën e 53’ por “demat” nuk arritën të mbanin avantazhin teksa në minutën e 81’ do të pësonin golin e barazimit.
Ardit Deliu me një predhë nga distance do të tundte rrjetën dhe të kalonte festën nga krahu tjetër i stadiumit, tek ata bardheblu. Goli i Deliut sigurisht që ka lënë të pakënaqur tifozët e Partizanit por më shumë nga mënyra e pësimit.
Në postimin e klubit për fundin e ndeshjes, shumë tifozë ia faturojnë golin e pësuar portierit Rexhepi që nuk lëvizi fare duke shoqëruar topin me sy në rrjetë.