
"Ëndrra ime është të marr pjesë në një kampionat europian", kjo është njëra prej fjalive që spikat në intervistën e kreut të Federatës Shqiptare të Basketbollit. Avni Ponari ka folur për "RTV Ora", aty ku ka shpalosur idetë e tij sa i takon sportit të koshit. Talentet, financat e shëndosha dhe një apel për barazi nga shteti, janë këto dëshirat që Ponari i ka bërë "babagjyshit" të Vitit të Ri.
"Ka qënë me të vërtetë një vit interesant, ku basketbolli është përpjekur të arrijë rezultate që i përkasin nivelit dhe zhvillimit të vendit në fund të fundit. Sepse nuk mund të ketë asgjë ndryshe nga ajo e përgjithshmja".
"Ne nuk pretendojmë se basketbolli të ngrihet në mënyrë të menjëhershme, pasi duhen një sër masash. Ajo që duhet thënë, Federata e Basketbollit nuk është e kënaqur me paraqitjet dhe rezultatet e regjistruara në këtë vit, pavarësisht kompeticioneve të shumta që kanë marrë pjesë".
"Në kompeticionin e zhvilluar këtë vit nga FIBA me U-16 konkluzionet ishin: Ju keni talente të shkëlqyera. Keni bërë një aktivitet të shkëlqyer. Keni bërë një organizim të shkëlqyer dhe detyra kryesore është që të vazhdojmë dhe të rrisim talentet e mëdha, e t'i kalojmë në kombëtaren e madhe".
"Deri në moshën 20-vjeçare interesimi është i madh, pastaj do të zbrehet. Basketbolli ka nevojë për mbështetje të gjithëanëshme, si nga Bashkia, Ministria dhe Qeveria. Federata e Basketbollit merr 80 mijë euro në vit nga Buxheti i Shtetit dhe nga ky fond duhet të organizojë kompeticionet ndërkombëtare dhe kombëtare, si dhe të ndihmojë 8 skuadra kombëtare".
"Këto ndihmohen me ligj, që është i barabartë dhe mbështetës vetëm për menaxhimin dhe drejtimin e sportit. Natyrisht synimet tona janë të mëdha. Synimi ynë që të jemi finalist, që të marrim pjesë me 3 ekipe në Kupën Ballkanike. Synimi ynë është që të marrim me 6 skuadra të të rinjve të marrim pjesë në Europian. Me dy skuadrat tona, meshkuj dhe vajza në eliminatoret e Europianit. Por të gjitha këto janë synimet, se arritjet janë ato që ne kemi bërë në vitet e fundit".
"Nëse do të ketë një njeri mjaft të mirë, me program mjaft të mirë nga unë, unë jam i gatshëm t'ia lë pa garuar fare. Në Greqi është një fenomen i çuditshëm për të identifikuar lojtarët shqiptarë, pasi kanë ndryshuar edhe emrin. Detyra jonë është që të evidentojmë dhe t'i thërrasim. Nga ato që kemi thirrur nuk kemi pasur ndonjë refuzim", u shpreh z. Ponari mes të tjerash.