
Do të jetë Rafael Nadal-Fabio Fognini gjysmëfinalja e parë e Mastersit të Miamit në tenis për meshkuj. Spanjolli eliminoi në cerekfinale amerikan Jack Sock, ndërsa italiani surprizoi përballë Kei Nishikorit. Nadal u shfaq bindës në lojë duke fituar lehtësisht përballë Sock, 2-0 me sete 6-2, 6-3. Një përballje praktikisht pa shumë histori, edhe pse tenisti nga majorka u druhej shërbimeve të forta të rivalit të tij.
Gjithcka u mbyll në 1 orë e 23 minuta lojë, me setin e parë që zgjati vetëm 33 minuta. Sock u thye në dy game me shërbimet e tij, duke ia bërë edhe më të lehtë spanjollit. Nadal e nisi keq setin e dytë, pasi e humbi game-in e parë në shërbim, por vetëm kaq, sepse Sock nuk diti të përfitonte, përkundrazi u mposht dy herë radhazi në shërbim në game-t 4 dhe 6 të setit të dytë.
I papërmbajtshëm Fabio Fognini përballë Nishikorit. Italiani fitoi 2-0 me sete, 6-4, 6-2 në vetëm një orë e 9 minuta lojë, duke i marrë plot 5 game japonezit me shërbimet e tij. Vërtet një rezultat surprizë, pasi numri katër në botë u nxor jashtë turneut nga i 40-ti të renditjen e përgjithshme. Përballja me Nadal do të jetë gjysmëfinalja e dytë në një Masters 1000 pikësh për Fogninin
Sa u përket femrave eliminohet në cerekfinale numri një në botë, Angelique Kerber, që u dorëzua 7-5, 6-3 nga Venus Williams. Shumë gabime për tenistën gjermane që në setin e parë nuk shfrytëzoi faktin se në dy raste Williams dështoi me shërbimet e saj. E njëjta panoramë edhe në setin e dytë, me Williams që thuhet në shërbim që në fillim, por arrin të rikuperojë në gejmin e dytë dhe të katërt. Në gjysmëfinale Williams do të ketë përballë Kontan, që kaloi 1-2 me sete rumunen Halep./ Supersport