Ilir Daja është shpallur ‘Trajneri i Vitit’ në mbrëmjen Gala “Laureatët e Vitit” të zhvilluar nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe ku si rrallë herë, rivaliteti është thuajse i zeruar në këtë sektor. Daja u vlerësua në ceremoninë e mbajtur në Prishtinë këtë të dielë për arritjet e tij të jashtëzakonshme në drejtimin e skuadrës së Ballkanit.
Tekniku tiranas udhëhoqi klubin nga Suhareka drejt titullit të dytë kampion rradhazi dhe në histori, si dhe për herë të dytë rradhazi merr pjesë në fazën e grupeve të Conference League. Në fjalën e tij pas marrjes së çmimit Daja u shpreh i nderuar për vlerësimin dhe e ndan atë edhe me trajnerët e tjerë në Kosovë.
“Ndihem i nderuar, do ta ndaj këtë titull me lojtarët e mi, presidentin Arsim Kabashi dhe bashkëpunëtorët e mi. Do ta ndajë me të gjithë trajnerët e Kosovës. Jam njëri mes jush, të gjithë japim kontribut për rritjen e futbollit të Kosovës”, u shpreh Daja.