Bukuria e futbollit këtë sezon është pa më të voglin dyshim, Napoli. Skuadra italiane ka mahnitur të gjithë me futbollin atraktiv që të bën të dashurohesh akoma më shumë me këtë sport. Trajneri Spalletti ka ndërtuar një skuadër me lojtarë të cilët janë konfident të luajnë lojën sipas karakteristikave të tyre e jo si rëndomtë në futbollin e sotëm ku gjithçka “përcaktohet” nga taktikat.
Nga porta në sulm, Napoli mbizotëron thuajse çdo statistikë duke shënuar gola me thasë e duke mbajtur portën e paprekur. Siç thotë edhe shprehja e famshme, “Sulmi fiton lojën, mbrojtja titujt”, ashtu po vepron edhe Napoli.
Reparti defansiv i Bluve është më i miri në Europë. Vetëm 15 gola të pësuar në 24 ndeshje dhe 12 porta të paprekura, këto janë statistikat e italianëve dhe një meritë kryesore për këtë e ka edhe Amir Rrahmani.
Mbrojtësi dardan është kthyer në një lider në fushën e lojës, shpeshherë në formacionin e javës dhe pas Martinez Quarta të Fiorentinës, ka notën më të mirë në Itali nga SofaScore, 7.31.