Situata te Milani po bëhet gjithnjë e më dramatike. Pas shkarkimit të Massimiliano Allegri, drejtuesit kuqezi kanë marrë disa “JO” radhazi nga trajnerët që synonin për stolin.
Burime pranë klubit bëjnë me dije se disa nga emrat kryesorë të listës së Milanit kanë refuzuar ofertën në ditët e fundit. Trajneri spanjoll Andoni Iraola, i cili shihej si favorit për stolin kuqezi, ka vendosur të qëndrojë në Premier League, duke mos u bindur nga projekti aktual sportiv i Milanit.
Sakaq, një tjetër "JO" ka ardhur nga një tjetër alternativë për stolin. Bëhet fjalë për Xavi Hernandez, ish-trajnerin e Barcelonës i cili thuhet se ka refuzuar kontaktet me klubin italian. Sipas mediave sportive, Xavi ka kërkuar garanci të forta për merkato dhe stabilitet në drejtim, diçka që aktualisht mungon në ambientin kuqezi.
Ndërkohë, emra të tjerë si Mauricio Pochettino dhe Cesc Fabregas mbeten objektiva shumë të vështira për t’u bindur. Klima e paqartë brenda klubit, mungesa e rezultateve dhe konfuzioni në projektin afatgjatë po bëjnë që shumë trajnerë të hezitojnë të marrin drejtimin e një prej klubeve më historike në Europë.
Tashmë drejtuesit e Milanit ndodhen nën presion maksimal. Çdo ditë që kalon pa trajner të ri rrit tensionin tek tifozët dhe pasigurinë për sezonin e ardhshëm.
