Në Fier nuk u arrit objektivi sezonal, dalja në Superiore, por drejtuesit e Apolonisë sërish kërkojnë që t'ia besojnë pankinën kryeqytetasit Artan Mërgjyshi. Tekniku me mjaft përvojë u bë pjesë e fierakëve gjatë merkatos së janarit kur kjo skuadër ishte në Superiore, teksa nuk mundi ta mbante në elitë, megjithatë, atij iu dha besimi edhe këtë sezon që sapo u mbyll për të drejtuar skuadrën. Por, sërish punët çeduan dhe Apolonia mbetet pjesë e Kategorisë së Parë edhe për një vit.
[caption id="attachment_672" align="alignright" width="400"] Stafi trajnues dhe lojtarët fierak[/caption]
Megjithatë, Mërgjyshi mbetet kandidati potencial për drejtimin e skuadrës edhe për sezonin e ri. Mësohet se ka pasur një mbledhje mes drejtuesëve të ekipit myzeqar, ku mësohet se është kërkuar që trajneri të qëndrojë. Pra, besimi është ende i madh te Mërgjyshi, çka do të thotë se ai do të jetë në krye të pankinës edhe për sezonin e ardhshëm. Por, ajo që nuk dihet ende është se kush do të jenë ndihmësit e tij, pasi të gjithëve iu ka përfunduar kontrata. Kjo mbetet për t'u parë në orët në vijim, ku brenda kësaj jave klubi dhe trajneri do të ulen për të diskutuar detajet për sezonin e ri.