Në prag të ndeshjes historike Shqipëri – Angli më 16 nëntor në stadiumin “Air Albania” ora 18:00, dhe në kuadër të “British Week”, FSHF në bashkëpunim me Ambasadën Britanike në Tiranë dhe Dyrrah City Football Academy do të organizojnë FootbALL Week, një javë e veçantë sportive dhe humanitare që e kthen futbollin në një mision social.
Ky event synon të ndërthurë sportin, edukimin dhe solidaritetin për të krijuar mundësi të reja për fëmijët në vendin tonë, veçanërisht për ata me vështirësi ekonomike dhe për fëmijët e Institutit të Nxënësve që nuk dëgjojnë.
Të ardhurat nga regjistrimi i ekipeve pjesëmarrëse në turne do të përdoren për të mbështetur fëmijët e talentuar të këtij instituti, të cilët do të përfitojnë një paketë vjetore që përfshin regjistrim në akademi, trajnim profesional dhe transport.
FootbALL Week përfshin:
Turne futbolli 6×6 me pjesëmarrjen e universiteteve, ambasadave dhe kompanive (10–13 Nëntor)
Seanca trajnimi për fëmijë me trajnerë nga Manchester City Football School (10–14 Nëntor)
Finalja e madhe dhe ceremonia e ndarjes së çmimeve (14 Nëntor)
Ky program është më shumë se një aktivitet sportiv. Është një javë frymëzimi, bashkimi dhe angazhimi për një të ardhme më të mirë për fëmijët shqiptarë.
