Pas suksesit të rëndësishëm në transfertë ndaj Malit të Zi, Kombëtarja e vajzave është rikthyer sot në fushë për të nisur përgatitjet në prag të ndeshjes së dytë kualifikuese për Botërorin 2027, ndaj Çekisë.
Futbollistet që u aktivizuan në takimin e djeshëm qëndruan pushim nga puna me grupin, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës zbriti në fushë duke zhvilluar një seancë të rregullt stërvitore.
E gjithë skuadra paraqitet në gjendje shumë të mirë fizike dhe nesër i gjithë grupi do të jetë i plotë në stërvitje në vijim të përgatitjeve për sfidën e radhës.
Ndeshja Shqipëri – Çeki, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2027, do të luhet të shtunën, në orën 18:00, në stadiumin “Loro Boriçi”. Hyrja për tifozët do të jetë falas, ndërsa takimi do të transmetohet drejtpërdrejt në FSHF Tv.
