
Ditë e veçantë dhe shumë e rëndësishme do të jetë kjo e sotma për Juventusit. E gjithë kjo ka të bëjë me drejtuesit e “Zonjës së Vjetër”. Epoka e presidentit Andrea Agnelli mbyllet zyrtarisht sot, ndërsa pasuesi i tij do të jetë Gianluca Ferrero.
Pjesëtarët e tjerë që do të marrin drejtimin e Juventusit janë dhe Fioranna Negri, Laura Cappiello, Diego Pistone dhe Maurizio Scavanio.
Agnelli e përshëndeti për herë të fundit ambientin e Juventusit ndërsa do të theksonte se ka kasrifikuar shumë për të arritur deri këtu.
“Përveç se i kam dashur gjithmonë ngjyrat e këtij klubi, gjithmonë kam punuar aq sa mundem për të arritur rezultatet që kemi arritur brenda dhe jashtë fushës. Kanë qenë vite të jashtëzakonshme në të cilat kam pasur nderin të kryesoj këtë klub”, ka deklaruar Agnelli.
47-vjeçari qëndroi për 13 vite në krye të “Zonjës së Vjetër”, me Juventusin që ia doli të fitonte 9 herë titullin në Serie A, 5 herë Kupën e Italisë dhe 4 herë Superkupën, ndërsa tashmë mbyllet një cikël mëse i sukseshëm për t’i lënë vendin kështu një tjetër aventure.