
Derbi është ndeshja më e rëndësishme në kampionatin shqiptar dhe këtë e tregojnë shumë faktorë. Një prej tyre është dhe rreziku që ndjejnë trajnerët e Partizanit dhe Tiranës, kur janë përpara një ndeshje të tillë.
Është 4 numri i trajnerëve të shkarkuar në 6 vitet e fundit, pas humbjeve në ndeshjen Partizani – Tirana. Fillimisht Franco Lerda, i cili ishte në krye të humbjes 1 me 2, që Partizani merrte për herë të parë në “Air Albania” kundër Tiranës. Asokohe Partizani kishte më shumë se 5 vite pa humbje dhe drejtuesit e Partizanit nuk e kapërdinë dështimin.
Ky shkarkim i hapi rrugën dhe të tjerëve. Nevil Dede do të shkarkohej nga stoli i Tiranës, pasi kishte humbur ndeshjen ndaj Partizanit 1 me 0 në “Elbasan Arena”. Ishte janari i vitit 2021 dhe Tirana do të emëronte Orges Shehin më pas në krye.
Ilir Daja u largua nga stoli i Partizanit, pas humbjes 1 me 2 në Derbi. Ishte dhjetori i vitit 2021, ndërsa Daja numëronte 61 ndeshje në krye të të kuqve. Më pas mori drejtimin e Ballkanit, ku nisi cikël fitues dhe është e sot.
Julian Ahmataj është “viktima” e fundit e derbit të kryeqytetit. Ish-trajneri u largua dje nga drejtimi i Tiranës, ndërsa humbja me Partizani 2 me 1 vulosi gjithçka disa ditë më parë.
Ky numër do të ishte më i lartë, nëse merren parasysh vitet e mëparshme dhe trajnerët që shkarkohen vetëm pak pas derbit. Tashmë në krye të dy klubeve kryeqytetase janë Orges Shehi dhe Erbim Fagu. Duke parë çfarë ka ndodhur, sigurisht që një pjesë e mirë e fatit të tyre varet sërish nga derbit e ardhshëm...