ZYRTARE/ Rasti i humbur ndaj Zvicrës do i mbetet peng gjithë jetën, sulmuesi i Kombëtares “var këpucët në gozhdë”
Shkruar nga NEWSPORT
Shkëlzen Gashi i ka dhënë fund futbollit të luajtur. Lajmin e bën të ditur vetë sulmuesi me një postim në rrjete sociale ku njofton varjen e këpucëve në gozhdë në përfundim të këtij sezoni. Tashmë në moshën 34-vjeçarë, Gashi i ka përjetuar të gjitha në karrierë, nga uljet deri te ngritjet e lavdishme.
Gjithsesi, e sigurt që pengu më i madh në karrierë do t’i mbetet ajo mundësi e artë ndaj Zvicrës në fazën e grupeve të EURO 2016, ku në minutën e 87-të kishte mundësinë e jetës për të shënuar një gol në finalet e një Europiani.
“Ka ardhur koha t’ju them se kapitulli i futbollit po mbyllet për mua dhe do t’i jap fund karrierës time aktive pas këtij sezoni. Dëshiroj të falënderoj klubet dhe bashkëlojtarët e mi për shumë momente të paharrueshme dhe suksese të mëdha. Një falënderim shumë i madh shkon për familjen dhe miqtë e mi për mbështetjen e madhe. Unë jam duke pritur shumë për të ardhmen dhe gjithçka që vjen”, shkroi Gashi.