Vetëm pak minuta më parë, është publikuar lista e Kombëtares shqiptare, në kuadër të dy miqësoreve përballë Izraelit dhe Luksemburgut. Ndërkohë që “arkitekti” i kësaj liste, trajneri Rolando Maran, ka folur para mediave në lidhje me këtë listë dhe sfidat miqësore të muajit të ardhshëm.
Vetë tekniku italian është ndalur të flasë për ndeshjet miqësore, të cilat i cilëson shumë të rëndësishme. Ndër të tjera, ai ka shpjeguar edhe mungesën e Ivan Balliut në listë. Maran ka treguar se mbrojtësi 34-vjeçar po mendon tërheqjen nga Kombëtarja shqiptare.
Gjithashtu, 62-vjeçari ka treguar edhe modulin me të cilin mund të luajë Shqipëria nën drejtimin e tij. Ndërsa, ka theksuar se i ka “sytë” edhe nga Kombëtarja U21, për të marrë lojtarë të cilët mund t’i bëjnë punë ekipit A.
Sa e vështirë ishte përzgjedhja e lojtarëve?
Do të kisha dashur që lista të ishte më e gjatë. Kam dëshirë që të shoh të gjithë lojtarët, ata që mund t’i përshtaten ndeshjeve. Do të jenë ndeshje për përgatitjen e ekipit për vazhdimin. I jam referuar listës së madhe, e cila ishte e krijuar. Një pjesë prej lojtarëve, nëse janë mirë nga kushtet fizike, ose si ju shkon dëmtimi. Strakosha po vijon procesin e rikuperimit. Po ashtu kemi pasur takim dhe jemi takuar me Dajsinanin, Muçin, Gripshin. Është e rëndësishme që të punohet në këtë aspekt, për të marrë maksimumin nga këta lojtarë, pasi do të jenë dy ndeshje shumë të rëndësishme.
Edgar Çani tha se me lojën e Maran ekipi shënon shumë? Një “plus” për Armando Brojën?
Jam i kënaqur për atë që ka thënë. Gjatë punës time, lojtarët kanë arritur që të shënojnë rekord golash gjatë sezonit. Nëse shënon, kjo është shenjë e mirë, mund të ndihmojë skuadrën. Kjo mund të ndihmojë Brojën, por edhe sulmuesit e tjerë. Jam i bindur që me punën që do të bëjmë në fushë, do të ndihmojmë sulmuesit, por edhe të gjithë lojtarët e tjerë, për të shkuar te goli.
Mungon Ivan Balliu, ishte në finalen e Conference League. Kemi luksin të mos ta ftojmë, arsyeja?
Kam folur me Ivanin para 3-4 ditësh. Ka qenë i sinqertë në konstatimin e tij, pasi nuk e dinte ende nëse do të luante më për Kombëtaren, i duhej koha e duhur. Është një lojtar që ka luajtur shumë ndeshje me Kombëtaren, është gjëja e duhur që të marrë kohën e tij.
Shumë pak risi. Mund të guxoni në Ligën e Kombeve?
Jemi gjithmonë të uritur dhe krenarë për të arritur rezultate të mira. Kemi pasur shumë pak kohë, i jam referuar listës. Do mundohemi të kuptojmë se çfarë është funksionale, sidomos me lojtarët që kanë bërë mirë në ndeshjet e fundit të Kombëtares, por t’i shërbejë edhe ideologjisë së futbollit që unë dua të luaj. Dëshira është vetëm për rezultate të mira, edhe për tifozët. Sigurisht që jo duke eksperimentuar, nëpërmjet saj nuk vjen gjithmonë rritja. Është fundi i sezonit, lojtarët vijnë të lodhur dhe të ngarkuar. Ka një sens sakrifice të madhe nga lojtarët dhe janë disponibël për të qenë pranë Kombëtares. Kjo është nisja, do të kuptojmë se çfarë do të bëhet. Për ta mbyllur, pasi të mbarojnë këto dy ndeshje, do t’i jap hapësirë edhe Kombëtares U21. Do t’i shoh në ndeshjen përballë Italisë, ky është hapi i radhës për të parë edhe lojtarët që kemi në kombëtaret e moshave.
Sylvinho kishte polemika, grumbullonte lojtarë që nuk ishin në formë dhe nuk luanin, si do të vendosni ju?
Nuk do të ketë një rregull të tillë, do të bëja gabim. Secili rast është individual dhe duhet parë çfarë i shërben Kombëtares. Ka rëndësi forma, por ka dallim mes një lojtari që luan në ligën Superiore që s’ka minuta, përballë një lojtari tjetër në ligën e tretë. Besoj që duhet të jem objektiv. Sigurisht që nuk ndihmon skuadrën kur nuk ka shumë minuta, por nuk mund të përcaktoj disa rregulla specifike.
Moduli që do të përdorni, duke analizuar karakteristikat e lojtarëve të Kombëtares?
Qëllimi është të kemi një mbrojtje me katër lojtarë dhe të kemi 3 lojtarë më pak ofensivë. Nuk dua t’i paraprihem një zgjedhjeje që mund të bëjë bllof. Dua të shoh lojtarët si fillim, të jem i sinqertë dhe më pas të vendos për modulin që do të përdor.
Lojtarët e Kombëtares U21, keni ndjekur ndonjë që mund ta keni pjesë të organikës tuaj?
Nuk do të ishte e drejtë që të thoja emra. Është e qartë që të gjithë kanë mundësinë për të pasur një qasje te Kombëtarja, është një lloj motivimi për ta në vazhdim. Por nuk mund të them emra momentalisht.
Pse mungon Jasir Asani? Po lojtarë si Luis Hasa dhe Cristian Shpendi, do të kenë minuta?
Jasir Asani nuk është pjesë e listës sepse nuk po luan. Nuk kam folur me të, por me të kanë folur bashkëpunëtorët tanë. Ai ka kohë që është shkëputur, nuk luan. Për sa i përket minutave për lojtarët e rinj, do të shoh të kem mundësinë për t’i dhënë hapësirë të gjithë lojtarëve të rinj. Nuk mund të premtoj asgjë, por do të vendos për këtë pas stërvitjes.
Përshtypja e parë në ditët e para të punës në Shqipëri? Në miqësore, do të shihni ju lojtarët e grumbulluar apo do të shohim ne idetë tuaja?
E nis nga pyetja e dytë. Do të kemi hapësirë për t’i parë të dyja, mezi pres të nisim me stërvitjet. Ka material të mirë dhe ka mundësi që të shpreh edhe idetë e mia të futbollit, por kjo i bën lojtarët protagonistë, për të aplikuar këto ide. Idetë dhe lojtarët të bashkohen dhe të krijojnë një ide të përbashkët për rezultate të mira. Në Shqipëri? I lumtur për këtë punë, të gjithë të jemi bashkë, të gjithë e duam Kombëtaren. Të arrijmë ato objektiva, qoftë edhe të vegjël, për të arritur më pas rezultate.
Lista e parë e Kombëtares për ju, cilët lojtarë mendoni se do të jenë në qendër të projektit të ri? A do të vlejnë këto dy miqësore për të kryer një rinovim gradual të grupit?
Ka disa lojtarë që kanë bërë mirë me Sylvinhon. Ndryshimet duhet të jenë graduale, është pak kohë për të bërë ndryshime të mëdha. Le të themi kapitenin Gjimshiti, është një bllok i cili mund të ketë ndryshime, por të jenë në funksion të përmirësimit të skuadrës.
