
Daniel Maldini është lojtari më i ri i Empolit, i huazuar nga Milan. Milanello për herë të parë në 67 vjet nuk do të ketë asnjë përfaqësues të familjes Maldini. Pas ndarjes me legjendën Paolo qershorin e kaluar, i vetmi anëtar i familjes Maldini në klub ishte Daniel.
Danieli, djali i Paolos dhe nipi i Cezares, kjo ishte lidhja e tifozëve kuqezinj me familjen Maldini, një histori unike në skenën e futbollit italian dhe botëror që dukej se me hyrjen e Daniel në ekipin e parë dhe me skudeton e fituar, mund të vazhdonte.
Megjithatë pas një sezoni në huazim te Spezia, fantazisti do të luajë sërish me një fanellë tjetër të Serie A, atë të Empolit dhe për herë të parë në jetë, saktësisht pas 67 viteve, asnjë anëtar i familjes Maldini s’do të jetë pjesë e Milanit.