Zoran Zekic u afrua te Partizani në qershor, për të vazhduar projektin e një Partizani europian. Jo çdo gjë shkoi siç pritej, teksa kujtimet e mbetura mund të jenë të hidhura për shumë arsye.
Kjo pasi Europa nuk u arrit si objektiv, skuadra u la në një moment që kishte nevojë për dorën e trajnerit dhe më e rëndësishmja merkato e verës është thuajse e dështuar.
Partizani këtë muaj zyrtarizoi largimin e Grezdës dhe Kocijan. Të dy këto lojtarë që kishin aprovimin e Zekic dhe pritej të ishin kyç. Jo vetëm nuk ndodhi, por dëmtimet u kthyen në kryefjalë.
Altin Bytyçi u afrua në verë dhe po bënte mirë ndryshe nga të përmendurit më sipër, por për fatin e keq u dëmtua në kulmin e tij. Afrimet e tjera ishin Mehmeti, Taipi, Qirko, dhe Vila, pasi me Kekon ishte arritur akord paraprak që në janar me Korabin.
Me përjashtim të Mehmetit të tjerët nuk e kanë vendin e titullarit të sigurt. Partizani akoma mbështetet te kontigjenti që kishte para këtij sezoni, ndërsa me interes pritet të shihen afrimet e janarit.