Specialisti i futbollit, Sulejman Starova ka dhënë një intervistë për emisionin “Sport Neës” të moderatores Trevisa Tufa. ‘Bobi’ ka folur për lëvizjet e fundit në kryeqytet me largimet e trajnerëve Zekic e Shehi nga Partizani e Tirana, por gjithashtu analizon situatën e Kombëtares.
Starova, përpara se të diskutojmë për Kombëtaren, kam dy pyetje të shkurta për dy nga çështjet më të nxehta të futbollit vendas. Partizani bëhet klubi i parë që shet një trajner. Zoran Zekic largohet për tek Osijek për 100 mijë euro. Fiton apo humbet Partizani nga kjo marrëveshje?
Po, jam në dijeni. Është një situatë jo serioze në lidhje me marrëdhënien e trajnerit Zekic me Partizanin. Është ai që ka pranuar ofertën dhe nuk ishte serioze të kërkosh largimin. Nuk është lëvizje e mirë, edhe pse Partizani po dëmshpërblehet. Imagjinoni të fillojë punën tashmë ekipi me një trajner tjetër, në këtë fazë të sezonit.
Pezullim, apo shkarkim, fakt është që Orges Shehi nuk është më trajner i Tiranës, ishte i drejtë ky vendim, a e bën largimi i Shehit më të dobët Tiranën?
Ky është një vendim që duhet respektuar. Periudha e Shehit te Tirana ishte e lavdishme. Gjërat kështu shkojnë. Fakti që Tirana fitoi një ndeshje të rëndësishme, një derbi klasik, e ka lehtësuar punën disi, duke bërë që kështu Ahmataj të qëndrojë në pankinë. Në këto kushte, në gjithë botën, kur ekipi nuk jep, momenti është të ndërrohet trajneri. Tirana kishte disa rezultate jo të mira, por duhet të kishte durim.
Flitet shumë për një transferim të Shehit te Partizani, si një person që i njeh shumë mirë dy klubet, a do e këshilloje një lëvizje të tillë, a do ishit dakort?
Jemi në një futboll profesionist. E keni parë në gjithë botën që mund të kalojë nga Juventusi te Interi. Nuk ka asgjë të keqe. Është një vlerësim që i bën Partizani nëse ndodh diçka e tillë.
Në pritje të derbit të kryeqytetit më 19 tetor, përpara na pret një super sfidë, një finale e madhe me Republikën Çeke. Çfarë emocioni të përcjell kjo sfidë, e prisje Starova që të sfidoje Çekinë si kokë grupi pas xhiros së 5-të?
Jemi në një moment të mirë. Vështirësia është si për ne, ashtu edhe për rivalin. Kjo do të thotë se gjendja e kombëtares është e mirë. Na duhen pikë sa më shpejt të jetë e mundur, për të siguruar kalimin në Gjermani. Shpresoj që të kemi sa më shumë fat.
Presidenti Duka u shpreh se presioni nuk është te Shqipëria, por te Çekia, a jemi pjekur mjaftueshëm si ekip për të kaluar këtë sfidë?
Që të pretendosh të shkosh në finale të tilla, duhet të përballesh me sfida. Presion kemi ne, por presion ka edhe rivali.Bëhet fjalë për një 90 minutësh vendimtar. Në këto pozita është edhe kundërshtari. Në futboll duhet të ketë frymë grupi, ne kemi çdo post të dubluar.
Profesor, a bëhen llogari në sfida të tilla, a duhet të bëjë llogari Sylivnho në këtë sfidë, a duhet të jemi të kënaqur edhe me një pikë?
Ky është një opinion i sportdashësve. Trajneri përgatitet për të gjitha. Ne duhet të kemi shpirtin e garës, topin ka kundërshtari.
Na mungon Ismajli. A mund të kemi probleme në prapavijë?
Më mirë e di trajneri dhe stafi teknik. Ne kemi përballuar situata të tillë. Ne mos të kthejmë kokën shumë larg, ndaj Polonisë patëm mungesa dhe ia dolëm. Ne kemi dubluar postet, kemi forcë grupi.
Starova, Shqipërinë po e udhëheqin lojtarë si Jasir Asani, Bajrami, Kristjan Asllani, si duhet të ndihet tani Reja që nuk i besoj kurrë, si ndihet një trajner në raste të tilla, t’i kesh aty gjatë gjithë kohës e të mos i shfrytëzosh?
Edhe Edi Reja ka bërë punë të mirë. 70 përqind janë lojtarë që i ka marrë Reja. Nuk shikoj ndonjë gabim në të kaluarën.
Profesor, rikthehet pas një viti Armando Broja, a mund të ndryshojë Broja balancat në fazën ofensive? Si mendoni a do t’i besojë Sylvinho nga minuta e parë?
Këtë vendim e merr trajneri. Është një vlerë e shtuar rikthimi i tij. Nuk ka rëndësi nëse luan nga fillimi apo më pas. Le të shpresojmë te zgjedhjet më të mira.
Cila është 3-shja e sulmit për ty?
Kjo 3-she nuk bëhet në letër. Duhet të kesh skuadrën në stërvitje dhe të shikosh sa mund të arrish. Një trajner nga jashtë nuk mund të thojë se kush është 3-shja më e mirë.
Nëse do ishe në vend të Dukës, a do t’i ofroje Sylvinho-s rinovimin e kontratës?
Nuk është ky problemi. Trajnerët rrisin vlerat e tyre me punë. Ai është në rrugë të mbarë. Nëse ne shkojmë në Gjermani, vlerat shtohet. Varet sesi do shkojnë gjërat.
Profesor, a na dërgon kjo sfidë në Gjermani?
Fitorja me çekët na dërgon në Gjermani. Besohet shumë te kjo arritje.
Më jep një parashikim, si del kjo sfidë?
Nuk i gjej unë këto. Uroj që të marrim një rezultat pozitiv. Kemi dy avantazhe, mirë është të fitojmë, por pranohet edhe barazimi.