
Mbrojtësi i Kombëtares, Elseid Hysaj është një ndër lojtarët më rëndësishëm të Kombëtares shqiptare, si dhe një ndër lotjarët me vlerën më të madhe në tregun ndërkombëtar momentalisht.
Klubi italian, Napoli që aktualisht zotëron dhe kartonin e shkodranit ka vendosur një klauzolë prej 50 milionë eurosh për shqiptarin, shifër e cila pritet të paguhet nga gjermanët e Bayern Munich për të përfituar shërbimet e "yllit" të Kombëtares shqiptare.
Në një intervistë për gazetën Panorama, Hysaj ka zbuluar detaje interesante nga një ofertë që ka ardhur për të nga Juventusit e cila është refuzuar, si dhe për dëmtimin që Hysaj ka marrë në miqësoren me Norvegjinë.
"Shpresoj që dëmtimi im të mos jetë serioz, por do të shihet në momentin që do të kthehem te skuadra e Napolit dhe do të kryej vizitat mjekësore. Në lidhje me të ardhmen dhe zërat për Bayernin, nuk e di se çfarë të them pasi ndihem mirë te Napoli. Është e vërtetë që kam pasur një ofertë nga Juventusi në të kaluarën, por pak unë dhe pak menaxheri e kemi anuluar. Kjo pasi besoj te Napoli dhe fitoren e asaj skuadre dhe qytetit që e meriton një të tillë".