
Federata e Volejbollit kërkon të rrisë sa më shumë këtë sport në të gjithë Shqipërinë. Ditën e sotme ka nisur projekti "Volejbolli i së Ardhmes", që do të shtrihet në të gjithë vendin. Takimi I sotëm ka nisur me Kryetarin e Bashkisë Elbasan, Z. Gledian Llatja dhe më pas në Bashkinë e Gramshit. Në ditët në vijim pritet të ketë takime në të gjitha bashkitë e vendit.
Postimi I Federatës së Volejbollit shqiptar:
Federata Shqiptare e Volejbollit ka nisur projektin "Volejbolli i së Ardhmes". Ky projekt konsiston në një mbështetje më të madhe të volejbollit në të gjitha bashkitë e Shqipërisë, të cilat e kanë të organizuar këtë sport por dhe në ato të cilat kanë patur traditë apo dëshirojnë të ngrejnë ekipet e tyre.
Takimi i sotëm nisi me kryetarin e bashkisë së Elbasanit, z.Gledian Llatja, i cili u angazhua për një mbështetje edhe më të madhe të këtij sporti, sidomos te moshat e reja, të cilat do të jenë e ardhmja e volejbollit, si një qytet me traditë në këtë sport. Në takim ishte i pranishëm edhe legjenda e volejbollit, z.Hysen Domi, i cili do të angazhohet në implementimin e këtij projekti ambicioz për volejbollin.
Pas Elbasanit, presidenti i FSHV-së, z.Erlind Pëllumbi, i shoqëruar nga zv.presidenti Dashamir Brari dhe sekretari i përgjithshëm Albens Vokopola, u ndalën në qytetin e Gramshit, qytet ky me vlera e traditë në këtë sport, nga i cili kanë dalë shumë volejbolliste të talentuara një prej të cilave është kampionia e Europës, Erblira Bici, e cila sot luan si titullare në ekipin e UYBA, në Serinë A në Itali, një nga kampionatet më të forta në botë. Në këtë takim z.Klodian Taçe, kryetar i Bashkisë Gramsh, do të angazhohet jo vetem për ringritjen e ekipit të volejbollit por edhe për rikonstruksionin e plotë të pallatit të sportit në këtë qytet.
Takimet që ka nisur Federata Shqiptare e Volejbollit do të vazhdojnë në të gjitha bashkitë e vendit, të cilat kanë ekipe pjesëmarrëse në kampionatet kombëtare të volejbollit, por dhe në ato të cilat kanë patur traditë në këtë sport.