
Skuadra e Vllaznisë në volejbollin për meshkuj ka fituar me rezultatin 3-2 përballë Skënderbeut. Sfida është luajtur pasditen e sotme në Korçë dhe ishte e vlefshme për kampionatin kombëtar.
Fitorja erdhi me përmbysje pasi ishin korçarët ata që kaluan të parët në avantazh. Skënderbeu fitoi dy setet e para me rezultatet 26-24 dhe 25-22. Por shkodranët nuk u dorëzuan dhe rihapën menjeherë takimin duke fituar setin e tretë 25-22. Kjo i dha zemër djemve të Vllaznisë dhe setin e katërt e fituan bindshëm 25-14. Në setin e pestë shkodranët shfrytëzuan momentin e mirë psikologjik duke qenë të saktë dhe duke e fituar me rezultatin 15-11.
Kështu i tërë takimi u mbyll 3-2 për Vllazninë. Ata ngjiten në vendin e katërt në renditje me 14 pikë, duke lënë pas Skënderbeun me 11 pikë në vendin e pestë.