
Franca ka aritur të mposhtë Anglinë me rezultatin 3-2, në takimin miqësor të zhvilluar në “Stade de France” të Parisit.
Anglezët janë ata që kaluatn të parët në avantazh me anë të bomberit, Herri Kejn në minutën e 9, por vendasit u përgjigjën mjaft mirë duke e kthyer rezultatin në fundin e pjesës së parë. Umtiti në minutën e 22 dhe mbrojtësi i Monakos, Sidibe në minutën e 43, ishin autorët e golave për Francën në pjesën e parë.
Menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë, ishte sërish sulmuesi Kejn i cili në minutën e 48 barazoi rezultatin duke shndërruar në gol një 11 metërsh të shkaktuar nga Varane, ky i fundit u ndëshkua me karton të kuq duke e lënë skuadrën me 10 lojtarë.
U duk se pas daljes me karton të kuq, Anglia do të ishte më superiore duke e fituar ndeshjen, por nuk ka ndodhur kështu. Në minutën e 78, Kilan Mbape dha një asist për Ousmane Dembele i cili me një gjuajtje të kalibruar e dërgoi topin në rrjetë duke i dhuruar fitoren Francës.